Teuta Gjinolli-Buçinca ia ka kushtuar tërë karrierën e saj profesionale fushës së energjetikës. Ajo ushtron profesionin e inxhinieres për tani 40 vite.

Ajo është inxhiniere e KEDS që nga themelimi i kompanisë në vitin 2013. Projektet e mëdha energjetike të udhëhequra dhe mbikëqyrura nga Teuta, vazhdojnë edhe sot të ofrojnë zgjidhje të energjisë elektrike për mijëra banorë të vendit.

E lindur në Gjilan, më 3 shtator 1956, Teuta ka kryer shkollën e mesme në drejtimin shkencor të gjimnazit “Zenel Hajdini”, për të vazhduar pastaj studimet në Fakultetin e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës, drejtimi i Energjetikës.

Ky artikull shfaq pjesë të intervistës me Teutën me të cilën biseduam për jetën e karrierën e saj, duke u fokusuar në profesionin dhe përvojën si inxhiniere e energjetikës, tanimë afër pensionimit.

Për fillim Teutën e pyetëm pse e ka zgjedhur profesionin e inxhinieres dhe ajo duke folur me shumë pasion na rrëfen:

Në zgjedhjen e profesionit tim kanë ndikuar dashuria dhe prirja për lëndët shkencore siç janë: matematika, fizika, kimia, etj. Që nga shkolla fillore më kanë pëlqyer dhe i kam dashur këto lëndë, prandaj kjo ka qenë bazë për përzgjedhjen e profesionit tim.

Fakulteti i energjetikës atëherë kishte sistem 5-vjeçar dhe shumica e literaturës me të cilën studentët mësonin ishte në gjuhën serbo-kroate. Po ashtu, në kohën kur Teuta u regjistrua në fakultet, profesioni i inxhinierisë konsiderohej profesion për burra.

Por pavarësisht të gjithave, Teuta ishte e vendosur të korrte suksese në rrugëtimin e saj si inxhiniere e energjetikës.

Karrierën e filloi si inxhiniere në Elektrokosovë më 1982 në Gjilan, një vit pasi që përfundoi fakultetin teknik, ndërsa që nga atëherë deri më tani për Teutën janë bërë plot 40 vjet përvojë të bujshme në inxhinierinë energjetike.

“Tani i kam 40 vjet përvojë pune në këtë kompani, e cila fillimisht ka qenë kompani shtetërore, ndërsa para 8 viteve është privatizuar dhe sot e njohim si KEDS. Gjatë këtyre viteve kam punuar në disa departamente dhe në të njëjtat kam pasur punë në terren dhe zyrë.”

Gjatë karrierës së saj, Teuta ka qenë projekt-menaxhere e disa projekteve madhore të shtrira nëpër tërë Kosovën. Disa nga këto projekte kanë qenë edhe donacione nga shtetet e jashtme për Kosovën.

Njëri ndër këto projekte të cilin Teuta e veçon, është projekti të cilin ajo e ka udhëhequr menjëherë pas luftës: “Donacioni i parë dhe më i madhi që pas luftës (vlera 32,000,000 marka) ka qenë gjatë periudhës nëntor 1999-qershor 2000, nga Qeveria Angleze, DFID. Kohëzgjatja e implementimit të këtij projekti ka qenë vetëm 6 muaj dhe ka përfshirë tërë territorin e Kosovës. “

Për përvojën e Teutës në KEDS gjatë këtyre 8 viteve, ajo shprehet:

Për këto 8 vite sa kam qenë pjesë e KEDS, është punuar shumë në zgjerimin e rrjetit. Kurrë, qe gjithë këto vite që punoj, nuk është punuar më shumë, nuk është investuar më shumë në Kosovë se sa gjatë kohës sa kam qenë në KEDS. Këtu çdo vit kemi pas mesatarisht 20 milionë euro investime në rrjet.

Sipas Teutës investimet bëhen për ta përmirësuar furnizimin, njëkohësisht edhe jetën,  pra për të pasur shërbime më cilësore të energjisë elektrike dhe shpërndarje më optimale.

Znj. Buçinca shtoi se rrjeti energjetik i trashëguar nuk ka qenë në gjendje aspak të mirë dhe investimet e KEDS ndër vite ishin më se të qëlluara.

Vlen të ceket që rrjeti elektro-energjetik ka qenë shumë i shkatërruar nga lufta po edhe gjatë 10 viteve sa kemi qenë të udhëhequr nga pushteti serb. Nuk është investuar fare dhe kjo ka shkaktuar çrregullime dhe pamundësinë e furnizimit të konsumatorëve me energji elektrike si nga cilësia, po ashtu edhe nga sasia.

Duke folur për rezultatet e suksesshme të investimeve të KEDS ajo thekson:

 Me projektet investive të realizuara deri më tani, kemi arritur të zëvendësojmë shtyllat e vjetra të drurit me shtylla të betonit, janë bërë unazat – për furnizim alternativ që d.m.th se nëse ndodhin avari, janë krijuar mundësitë që konsumatorët të mos mbesin pa energji elektrike.

Natyrisht kjo punë e madhe e kryer nga KEDS, ka hapur rrugët për zgjerimin e stafit. Kjo është mundësuar edhe nga programi KEDS Academy, i cili brenda një periudhe një-vjeçare sa zgjat programi, ka për qëllim t’i trajnojë dhe aftësojë studentët kosovarë për tregun e punës.

Gjatë bisedës Teuta na mahnite me dashurinë dhe përkushtimin që ushqen për profesionin e saj prej inxhiniereje.

Kurrë nuk kam mundur të shfrytëzoj më shumë se 5 ditë pushim, sepse natyra e punës ka qenë e tillë. Realizimi i projekteve ka qenë gjithmonë sfiduese dhe ka kërkuar angazhim të vazhdueshëm. 

Natyrisht që aty ku bëhet punë, përveç zhvillimit profesional ka edhe sfida me të cilat ajo është ballafaquar gjatë karrierës së saj. Sipas Teutës, gjërat do të ishin pak më të lehta nëse ligji do të vepronte siç duhet në Kosovë.

Kjo punë është shumë kreative edhe pse ka sfida të mëdha, sepse kompletimi i secilit projekt është një e re që sjell shumë përfitime për popullin. Edhe terreni në vete është sfidë, sepse ke punë me njerëz të ndryshëm. Meqë kjo punë varet prej shumë faktorëve, ti duhesh me qenë urë, me ditë me u marr vesh me t’ gjithë.

Si njëra ndër gratë e rralla inxhiniere në vend, përveç punës nga zyra, Teuta ka mbikëqyrur punimet në terren, që ndonjëherë nuk kanë qenë edhe lehtë të menaxhohen, por me punën e saj të pandalshme dhe komunikimin efikas – suksesi nuk ka munguar.

Sipas Teutës, gjithsecili nga ne duhet të jetë më komunikues dhe më i hapur për të mësuar gjëra të reja në ambiente pune por edhe në jetë. 

Tejkalimi i sfidave të punës natyrisht që është bërë më i lehtë me ndihmën e kolegëve bashkëpunues në zyrë dhe jashtë saj. E Teutës padyshim që do t’i mungojë tempoja e punës me të cilën është mësuar tash e gati 40 vite, si dhe koha që e kalon me kolegë.

Ndoshta kam me pas pak vështirë se jam mësu me këtë punë. Ka me m’mungu komunikimi me kolegë, ndonjëherë kemi qeshur, kemi folur, kemi pas pengesa, probleme e vështirësi që kërkonin zgjidhje, po duke ndërtuar marrëdhënie të mira mes veti ia dilnim.

Ndërsa, kur e pyetëm se si e kalon kohën e lirë, Teuta na tregoi që e ka pasion leximin si dhe ecjen.

Ajo foli edhe për librin të cilin ishte duke e lexuar këto ditë, i titulluar “Dhoma e Fluturave” nga autorja irlandeze Lucinda Riley. Një tjetër autore nga e cila Teuta ka lexuar shumë libra së fundi është edhe autorja turke Elif Shafak.

Në fund e pyetëm Teutën nëse ka ndonjë mesazh për gratë inxhiniere. Ajo na dha mesazhin për të dy gjinitë. 

Mesazhi im është duhet m’u mundu, me punu me tanë energjinë e me tanë qenien. Punën të cilën e bëni duhet ta duani dhe t’i përkushtoheni, kështu do të arrini t’i tejkaloni të gjitha peripecitë me të cilat do të ballafaqoheni gjatë punës dhe kjo njëkohësisht do t’ju sjellë suksesin - qëllimin, në realizimin e punëve dhe detyrave tuaja.