Zgjidhja e vetme për të kursyer xhepin tonë si dhe për ta ndihmuar sistemin elektro-energjetik që të përballojë më lehtë ngarkesat këtë dimër, në mënyrë që t’i shpëtojmë krizës energjetike pa importuar shumë nga jashtë, është  që secili nga ne të kursejë energji elektrike sa më shumë.

Sipas Drejtorit të Departamentit për Shërbime me Konsumatorë, Sabri Tërnava, konsumi i madh i energjisë elektrike shkakton ngarkesa të mëdha në sistemin elektro-energjetik të KEDS dhe kjo mund të ndikojë në ndërprerje të dhunshme të energjisë elektrike.

Për të mos ardhur gjendja deri në këtë pikë, ne duhet të jemi kursimtarë në raport me përdorimin e energjisë elektrike në shtëpitë tona.

Tërnava na sugjeron më që të fillojmë me identifikimin e shpenzuesve më të mëdhenj të energjisë. Kjo sepse shumica prej nesh konsumojmë energji elektrike më shumë sesa që na nevojitet, duke ngrohur maksimalisht dhomat ku nuk qëndron askush, duke lënë bojlerin ndezur tërë ditën, etj.

Këto praktika janë bërë pjesë e rutinës sonë, saqë shpesh mundemi të mos i vërejmë dhe të na duken të vogla, por që në realititet kanë ndikim të madh në faturat tona mujore.

Në listën e shpenzuesve më të mëdhenj që ne kemi indetifikuar, kryeson nxemja qendrore me rrymë me diku 70 – 80 % të faturës tonë mujore, ndërsa verës, pa u përfshirë ngrohja me rrymë, prin bojleri me diku 44 % të totalit të shpenzimeve (pa u llogaritur shpenzimi për ngrohje).

Këshillat më të mira për kursim në ngrohjen me rrymë sipas Tërnavës janë:

  1. Vendosni në kaldajën tuaj qendrore një ndërprerës kohor (wifi, digjital apo mekanik), në mënyrë që kaldaja juaj të fiket tërësisht atëherë kur nuk keni nevojë. Këtë mund ta bëni në intervale të shkurtra gjatë natës apo edhe një pjesë të madhe të ditës kur nuk jeni në shtëpi.
  2. Zëvendësoni (shtoni edhe një) rregulluesin e temperaturës në kaldajën qendrore me një rregullues që mund të kontrollojë temperaturën në intervale të ndryshme kohore. Sikurse në pikën një, porse tani mund ta lini ndezur kaldajën, por me një temperaturë tërësisht të kontrolluar apo minimale (rregullues me wifi apo digjital).

Gjithashtu ai ka këshilluar konsumatorët që të kenë parasysh edhe aspektet e tarifave të lira, që gjatë stinës së dimrit fillojnë pas orës 22:00.

Nëse i aplikojmë këshillat më lart, ne do të mund të kemi një ngrohje komode dhe njëkohësisht të kursejmë deri në 30% te energjisë elektrike.  Sa i përket kursimit sa më të madh në bojler, rekomandohet:

  • Ta lini bojlerin të ndezur gjatë natës kur është tarifa e ulët,
  • Gjatë ditës ta lëshoni vetëm sipas nevojës.

Mund të mos e besoni, por nëse prej fillimit të muajit tjetër e zbatoni këtë praktikë për një muaj rresht, mund të vëreni ndryshimin e menjëhershëm në buxhetin tuaj!