_hLMF5BcMYA.jpg)
10 vjet bashkë në Kosovë
Në vitin 2013, atëherë kur filluam operimet në Kosovë, ishim të bindur se për të arritur një transformim të plotë energjetik, krahas kapaciteteve tona profesionale, na nevojitej edhe një balancë e fuqisë punëtore që përballë kësaj sfide duhej të ishte pjesë e këtij objektivi.
Një transformim i tillë elektroenergjetik nuk ishte i lehtë! Se në çfarë gjendje ishte rrjeti elektroenergjetik në atë kohë, e tregojnë shumë faktorë. Kishte ardhur momenti që kompania jonë të jetë pjesë e zgjidhjes. Tranzicioni i rrjetit energjetik- një transformim që u përshpejtua falë gjithëpërfshirjes së madhe teknologjike, detyrimisht u bë nevojë imediate për qëndrueshmërinë e tij.
Sot, kur mbushëm një dekadë operimi në Kosovë, me krenari mburremi se kjo qëndrueshmëri është arritur dhe mbetet garanci e referencë e misionit tonë.
Në përputhje me vlerat dhe kapacitetet tona teknike e profesionale, bashkë me vullnetin e të gjithëve, dëshira për të përmirësuar jetën e njerëzve dhe mjedisin ku jetojnë, nuk është vetëm bindje, por shpreh frymën e asaj që ne e bëjmë, dhe më e rëndësishmja, pse e bëjmë atë.
Puna që arritëm ta bëjmë përgjatë këtyre dhjetë vjetëve përmirësoi besueshmërinë, efikasitetin, qëndrueshmërinë, sigurinë. Përmirësoi shumëçka që ishte e rëndësishme për konsumatorët tanë, për punonjësit, për komunitetin.
E gjithë kjo qe një mundësi unike që protagonistë të ndryshëm të këtij ndryshimi të dëshmojnë profesionalizmin. Ne këtë ua besuam punëtorëve tanë, u dhamë zë atyre që të tregojnë forcën kombëtare përballë energjisë dhe digjitalizimit.
Digjitalizimi i rrjetit energjetik të shpërndarjes, si i tillë, na mundësoi ndërlidhjen totale dhe në kohë reale të rrjetit, njohjen e statusit të çdo nyje, segmenti ose elementi të tij. Mbi të gjitha, na ndihmoi në rritjen e efikasitetit operacional dhe efektivitetit të linjave. Për të mirën e konsumatorit dhe për të mirën e gjithmbarshme. E meqë konsumatori është qëllimi, ndërkaq kapacitetet tona profesionale janë mjeti, ne ofruam një sërë kanalesh për komunikim dhe shërbim ndaj tij.
U bëmë partner i hapur ndaj konsumatorit duke prezantuar e realizuar më shumë se dy mijë projekte, pas të cilëve fshihet një shkallë e lartë gatishmërie e grave dhe burrave të pasionuar në qëllimin tonë të përbashkët e kuptimplotë-një qëllim gjithëpërfshirës me vlera të fuqizuara, siç janë, drejtësia, solidariteti, përkushtimi dhe besnikëria. Ato përfaqësojnë vetëm disa nga vlerat e kompanisë sonë, dhe janë emëruesi ynë i përbashkët që ne t’u përshtatemi kërkesave dhe nevojave të shumta që konsumatorët tanë i patën përgjatë kësaj dekade, e që nuk kaloi pa sfida.
Por, sado që ato u shpërfaqën në kushte e rrethana të ndryshme, shpeshherë edhe emergjente, ne ditëm t’u përballemi atyre sfidave përmes përkthimit në praktikë të kapaciteteve tona: minimizuam humbjet në rrjet, menaxhuam krizën energjetike, menaxhuam punët gjatë pandemisë, zvogëluam ndërprerjet e energjisë elektrike. Jo vetëm pse konsumatorin e kemi obligim edhe moral, përveçse kontraktual, por sepse këto janë vlerat që e karakterizojnë traditën e kompanisë sonë.
Këtij përkufizimi medoemos duhet shtuar edhe angazhimin e të gjithë punëtorëve në të gjitha distriktet tona në Kosovë, të cilët janë bërë pjesë e kësaj tradite, pa dyshim. Janë bërë pjesë e familjes sonë të madhe që po rritet dita-ditës. Kjo familje, në kuadër të përgjegjësisë sociale, u bë edhe shkollë për kultivimin e shumë gjeneratave që do të jenë dëshmitare të ruajtjes së këtyre vlerave dhe pjesë e pandashme e saj.
E, kapaciteteve tona teknike, profesionale dhe atyre të burimeve njerëzore, bashkë me to edhe cilësisë që e ofrojmë, do t’u mbetemi besnik për një rrugëtim të ri që na pret. Një rrugëtimi, që në dekadën e re do të ndiqet edhe nga trende tjera të energjisë së ripërtëritshme.
Dhjet vjet më vonë ne mëtojmë të ndihmojmë edhe në tranzicionin e energjisë së gjelbër si burim i energjisë së shpërndarë në rrjet. Kjo energji që do të përkojë me rrjetin tonë elektroenergjetik shpërndarës, do të ofrojë siguri në furnizim; do të mundësojë arritjen e trageteve të burimeve të ripërtëritshme dhe ndërveprim të integruar.
Në dekadën e re që po e fillojmë, nuk do të përqendrohemi vetëm në një rrjet të transformuar, por do ta revolucionarizojmë atë duke garantuar një shërbim universal, të besueshëm e cilësor, që përkon me standardet ndërkombëtare, pjesë e të cilave jemi tashmë.