KEDS edhe këtë vit është pjesë e aktiviteteve për Ditën e Tokës. Kompania ka vendosur që të japë kontributin e vet në gjelbërimin e hapësirave për nxënës.

Fidanë blini e pishash dhe lule të llojllojshme i kanë mbjell punëtorët vullnetarë të KEDS në shkollën fillore “Kuvendi i Arbrit” në Ferizaj, “Sadullah Brestovci” në Gjilan dhe “Dituria” në Shkabaj të Prishtinës. Me mbjelljen e drunjtëve e luleve të ndryshme nxënësit do të frymojnë më lirshëm në ambientet e shkollave përkatëse dhe të kenë një ambient më relaksues.

“KEDS që nga fillimi i operimeve të saj ka qenë pjesë e aktiviteteve për Ditën e Tokës. Të njëjtën kohë ne vazhdimisht kemi qenë të përkushtuar në përmirësimin e kushteve për nxënës. Prandaj, gërshetimi i këtyre aktiviteteve, pra që ditën e tokës të bëjmë diçka në të mirë të nxënësve nuk është i rastësishëm.

Aty fillon çdo ndryshim pozitiv dhe ne duam të jemi pjesë e atij ndryshimi”, tha z. Alper Erbas, Drejtor Gjeneral i KEDS-it, teksa po mbillte fidanët në shkollën “Kuvendi i Arbrit”. Ky nuk është aktiviteti i vetëm as sa i përket mbjelljes së fidanëve që ka bërë kompania e as aktiviteteve në shkolla.

Vitin e kaluar KEDS ka mbjell fidanë me iniciativë të Komunës së Prishtinës në hapësirat e Fakultetit Teknik. Përderisa, KEDS në kuadër të Përgjegjësisë Shoqërore të Korporatës (CSR) ka realizuar një sërë projektesh në shkolla, si: krijimi i laboratorëve të Informatikës, krijimi i bibliotekave, botimi i librit për nxënësen, pastaj renovimi i një pjese të shkollës në Kamenicë e shumë aktivitete tjera. Të gjitha këto aktivitete janë realizuar nga punëtorët vullnetarë të KEDS dhe KESCO.