Nga viti 1921, kur u ndez drita e parë, deri në vitin 1983 kur u bë elektrifikimi i plotë i vendit, pati shumë zhvillime. Sjellim këtu historinë e zhvillimeve energjetike në gjashtë dekada përmes rrëfimeve emocionuese nga akterët të cilët që luajtën rolin kryesor.

Një dritë e vogël që e merrte energjinë nga një akumulator qëndronte e ndezur natën e Bajramit të Vogël në xhaminë e boshnjakëve në Ferizaj. Ishte viti 1921. Ferizajasit kishin zgurdulluar sytë:

Ç’është ky xham që e zdriti këtë vend”? Haxhia nga Shkupi ndihej krenar. Më në fund drita erdhi edhe në Kosovë, tha ai, plot krenari. Ishte kjo drita e parë e ndezur në Kosovë 97 vjet më parë.

Ky veprim i shqiptarit nga Shkupi nxiti lëvizje të shpejta që të fillohet me elektrifikimin e Kosovës. Gjithçka nisi në Ferizaj, por edhe vazhdoi aty. Pas disa javësh në qytet u soll një makinë me avull e cila prodhonte energji elektrike.

Avulli, fillimisht ngrohej përmes naftës, e më vonë përmes qymyrit, një proces me parime të ngjashme të termocentraleve të sotme. Isuf Vata, 62- vjeçar, përgjegjës i objekteve të KEDS-it në distriktin e Ferizajit dhe anëtar i një nga familjeve të para të Ferizajit tregon për makinerinë prodhuese.

Fillimisht prodhonte 6 kW. Me të ndizeshin dritat e qytetit dhe disa shtëpi. Dy vjet pas, kapacitetet u dyfishuan dhe energjia shpërndahej me dy linja paralele secila nga 6 kW. Filluan të ndriçoheshin edhe shtëpitë e njerëzve të rëndësishëm të qytetit, tregon Vata.

E gjithë kjo, ishte arritur falë punës së palodhshme të Sani Kagjaskës, kryepunëtor, i cili kishte ardhur nga Gjakova për këtë punë. “Ai arriti ta zhvillonte atë makineri dhe të ndizte dritat e para në Kosovë. Punoi vite me radhë, deri në vitin 1957, kur regjimi i atëhershëm e detyroi ta lëshonte vendin dhe të shpërngulej në Stamboll, ku edhe vdiq në moshën 93 -vjeçare”, thotë Cakaj. Pas dritës së parë dhe prodhimit të parë të energjisë elektrike, po në Ferizaj u ndërtua edhe trafostacioni i parë.

I njohur si Centrala, ai u ndërtua në vitin 1922 dhe qëndroi aty dekada me radhë, deri në vitet ’60 të shekullit të kaluar, kur qyteti u lidh me rrjetin elektrik të Kosovës.

Centrala ndodhej te mulliri i qytetit. Ajo shpërndante energjinë elektrike për Ferizajin, tregojnë banorët e qytetit që shërbeu si nyje hekurudhore për shumë vjet.

Sot, trafostacioni nuk ekziston më, sikurse as mulliri. Është një tokë e thatë, ndërsa ngjitur me të është ndërtuar një objekt tjetër, që sot njihet si Shtëpia e Bardhë. Disa muaj pas Ferizajit, nuk kishte ndenjur duarkryq as Prishtina. Në vitin 1922 filloi prodhimi i energjisë elektrike edhe në Prishtinë, përmes një lokomotive që vihej në funksion gjithashtu nga qymyri. Edhe kapaciteti i saj ishte 12 kW. Njëjtë, mjaftonte për ndriçimin e qytetit dhe shtëpive të rëndësishme në kryeqytet.

Pajisjet elektrike nuk lejohej të përdoreshin. Dënimet ishin shumë të rënda po u kap dikush duke i futur në prizë. Energjia elektrike mjaftonte vetëm për drita, asgjë tjetër. Ishte kjo koha kur Kosova ishte thuajse komplet zonë rurale, pa profesionistë të lëmive të ndryshme, sidomos inxhinierisë.

Një hap tutje u hodh në vitet ’30 të shekullit të kaluar. Filluan punën tri hidrocentrale të vogla që furnizonin qytetet kryesore. Fillimisht, në vitin 1932 nisi punën hidrocentrali në Prizren, që mjaftonte për ndriçimin publik të këtij qyteti dhe ndonjë shtëpie. Hovi më i madh i paraluftës ndodhi disa vjet më pas.

Në vitin 1938 u lëshuan në punë hidrocentralet e Radavcit dhe Mitrovicës, që furnizonin qytetet e Pejës dhe Mitrovicës, tregon Selami Gashi, udhëheqës shumëvjeçar i Distribucionit në Pejë, tash inxhinier në pension.

“HC Radavci kishte kapacitet nga dy turbinat nga 180 kW secila, prej totali 360 kW, që mjaftonte për ndriçimin publik të Pejës dhe ndonjë konsumatori aty- këtu”, tregon Gashi.

Një organizim i tillë i ndriçimit vazhdoi deri pas Luftës së Dytë Botërore. Pas kësaj ngjarje, nisi intensifikimi i elektrifikimit të vendit. Në vitin 1945 u themelua kompania distributive “Elektrokosova”, nga Kuvendi i Kosovës. Elektrifikimi sërish bëhej përmes njerëzve të rëndësishëm dhe u jepej prioritet atyre.

Si shembull, vet banorët e moçëm të qytetit tregojnë se si Ferizaji ishte prije-tar i elektrifikimit të vendit, por kur erdh puna për rrjet modern, para tij u elektrifikua një fshat që i përkiste kësaj komune, Doganaj. Ferizaji duhej të priste, pasi ky fshat kishte njerëz më të rëndësishëm në nivel qendror. Por, pikërisht në atë kohë, ndonjë fshat nuk e kishte pritur as dorën e shtetit duke vepruar vet.

Në Llozhan të Pejës kishin gjetur një zgjidhje kreative. Ata e kanë një kanal që furnizonte mullirin me ujë. Aty e ndërtuan edhe një mini-hidrocentral. Banorët ditën e shfrytëzonin ujin për mulli, ndërsa natën për të prodhuar energji që ndriçonte komplet fshatin, tregon Ekrem Belegu, inxhinier, i cili kishte luajtur rol kyç në elektrifikimin e Rugovës. Elektrifikimi mori hov të madh në vitet ‘50-ta. Tashmë vendi kishte inxhinierë të zotë, ndërsa puna vlonte në terren.

Ishte bërë decentralizimi dhe paratë siguroheshin nga buxhetet komunale. “Ndërtimi i rrjetit të mirëfilltë filloi me lëshimin në punë të Hidrocentralit të Kozhnjerit (Lumëbardhit) në Deçan, në vitin 1957. Ky kishte kapacitet në secilën nga dy turbinat prej 3.3 MW, përkatësisht 6.6 MW secila. Kjo mjaftonte për furnizimin e krejt Kosovës së atëhershme, që kishte një ekonomi aspak të zhvilluar”, thekson Selami Gashi.

Me ndërtimin e veprës së parë të rëndësishme energjetike u ndërtua edhe linja e parë 35 kV, për të shpërndarë energjinë nga ky hidrocentral. Të njëjtën kohë u lëshua në punë edhe blloku i parë i termocentralit “Kosova A”, me kapacitet 60 MW që kryesisht prodhonte për konsum jashtë Kosovës. Por, në vitet ’60-ta ekonomia e Kosovës mori hov dhe kërkesa u rrit ndjeshëm. Filluan të ndërtohen shumë fabrika që donin energji. Edhe ekonomitë familjare nisën urbanizimin.

Paralel me lëshimin në punë të blloqeve tjera të termocentralit “Kosova A’, filloi edhe degëzimi i rrjetit, përderisa u ndërtuan linjat e para 110 kV. Një nga inxhinierët që mori pjesë direkt në elektrifikim të Kosovës është edhe Osman Breznica, më vonë udhëheqës shumëvjeçar i Distribucionit të Prishtinës, tash inxhinier i pensionuar.

"Ndjenja e elektrifikimit nuk mund të përshkruhet me fjalë. Kam kaluar nëpër shumë lokalitete dhe aty ku ndriçoheshin shtëpitë, habia e banorëve ishte e madhe, stepeshin", tregon Breznica për kohën e atëhershme. "Ai filloi me elektrifikimin e fshatrave të Klinës në fillim të viteve ’70-të. Entuziazmi ishte i madh".

Ndonjëherë mbeteshim deri vonë dhe nuk kishte më linja treni për Prishtinë. Duhej të flinim në ndonjë shtëpi. Banorët na prisnin me respektin dhe miqësinë më të madhe, tregon Breznica. Dekada 1970-1980 ishte koha kur Kosova ka shënuar përparimin më të madh në historinë e saj. Pos avancimit politik, zhvillimit të arsimit, kishte marrë hov të madh edhe zhvillimi ekonomik. Ishte kjo dekada kur u ndërtua pjesa më e madhe e rrjetit elektrik të vendit. “Ekonomët e komunave na thoshin para ka, mos ndali më projekte. Përfundoni të gjitha”, thotë Breznica.

Ai tregon edhe një rast nga fundi i viteve ’70-ta. “Po bënim elektrifikimin e fshatrave të Drenicës. E përfunduam elektrifikimin e Açarevës. Por, asnjë shtëpi nuk kishte poç elektrik për ta provuar dritën e parë. Për fat e mbaja një në veturë. Kur u ndez drita në atë vend, reagimi i banorëve ishte për mbamendje. U stepën. Ka ndodhur 40 vjet më parë, por më duket si sot. Nuk do të doja të isha në asnjë vend tjetër”, rrëfen Breznica. Nga një vend që nuk kishte asnjë dritë për ta provuar, sot i njëjti fshat ka plot 8 trafo.

Pas Drenicës, ekipet kosovare vazhduan elektrifikimin e fshatrave të veriut, deri në Rashkë. Edhe Breznica ishte pjesë e ekipit, që pos Kosovës, kishte elektrifikuar edhe shumë pjesë të Serbisë dhe zonave tjera përreth. Elektrifikimi i Kosovës zyrtarisht u përmbyll në vitin 1983, ku u energjizuan të gjitha fshatrat e Rugovës. Ishte festë e madhe, ku morën pjesë të gjitha personalitetet e atëhershme të rëndësishme të vendit. Pjesë e festës ishin edhe të gjithë akterët e kësaj storie.

*Ky artikull u botua për herë të parë në magazinën tonë Energy.