Pothuajse një javë pas shënimit të ditës ndërkombëtare të vajzave dhe grave në shkencë, sot shënohet një ditë tjetër që është po aq e rëndësishme sa ajo e 11 shkurtit.

Sot shënohet dita kur vajzave iu prezantohet profesioni i inxhinierisë. Si aktivitet mbarëbotëror kjo ditë i është dedikuar vajzave, për të shtyrë dhe motivuar ato për të ndjekur profesione që historikisht janë konsideruar të jenë për burra.

Në pjesën e parë të intervistës, ndiqni Borën kurioze që pyet Inxhinieren Albina Mekuli rreth profesionit të saj dhe eksperiencës personale gjatë rrugëtimit të saj në këtë fushë.

Njëra ndër pyetjet që Bora 9 vjeçare donte të dinte ishte se a e ka pasur problem inxhinieria Albina Mekuli për ta studiuar dhe më pastaj për të punuar në profesionin e saj të zgjedhur? Në këtë pyetje inxhinieria u përgjigj:

Kur e ke dëshirën edhe puna më e vështirë bëhet e lehtë.

Ajo poashtu shtoi se periudha e studimeve ka qenë e vështirë dhe se kanë qenë vetëm 5 vajza që kanë studiuar për inxhinieri, mirëpo falë dedikimet të tyre ato ja kanë arritur që të gjitha të gjejnë punë në profesionin që ato studiuan me po aq zell dhe përkushtim.

Ndërsa në pyetjen tjetër të Borës se pse e ka zgjedhur Albina këtë profesion? inxhinierja në fjalë u përgjigj që qysh e vogël ka pasur interesim për matematikë dhe lëndë të tjera shkencore dhe vetë mësuesit e saj i kanë sugjeruar që të studioj këtë fushë.

Për më shumë shikoni videon e plotë që e kemi përgatitur për ju.

 

Në pjesën e dytë të intervistës, ndiqni Morean teksa bisedon me Sidorelën, Inxhiniere në KEDS.  Morea një vajzë e dalluar ka shtruar disa pyetje rreth profesionit të inxhinierisë, duke na shtuar kurreshtjen tutje se cfar përgjegjie do të mund të marrim nga Inxhinierja. Sidorela në anën tjetër ka dhënë mesazhe përmbajtësore dhe të qarta për vajzat që duan të ndjekin rrugëtimin e saj.

“…duhet të mësoni shumë, të jeni kurioze dhe bashkëpunuese”

ka shtuar Sidorela, duke theksuar se puna në grup ka rëndësi të jashtëzakonshme për të korrur sukses jo vetëm në inxhinieri por kudo.

KEDS vazhdon të jetë zëri i vajzave dhe grave jo vetëm brenda kompanisë por edhe në komunitet. Programet tona inkurajuese së bashku me kampanjat shtyjnë vajzat të ndërtojnë karrierën dhe jetën që duan.
Vajzat janë të lindura dhe të prirura të bëjnë çdo gjë që ato dëshirojnë.