Angazhimi i punëtorëve të terrenit në përpjekjet e tyre maksimale për të sanuar prishjet në vende mjaft sfiduese e kushte atmosferike të cilat e bëjnë mjaft të vështirë punën, është për t'u vlerësuar lartë nga secili prej nesh. Duke qenë në vijën e parë të frontit, ata janë heronjtë tanë, të cilët çdoherë sigurohen që ne të kemi furnizim të rregullt.

Prishjet në rrjet ndodhin sidomos gjatë motit të ashpër dhe jo çdoherë janë lehtë të riparueshme. Nganjëherë ato marrin orë të tëra për t'u lokalizuar e për t'u rregulluar. Ata, pa pikë frike, sfidojnë lartësitë duke u ngjitur me dhjetra metra mbi tokë, për të realizuar punën në shtylla të hekurta.

Për ndokë që ka frikë lartesitë, kjo mund të duket mjaft e vështirë dhe stresuese, por për ekipet tona kjo është një punë e zakonshme, me të cilën ata tashmë janë mësuar.

Sigurisht, që KEDS vazhdon të përkujdeset për sigurinë e punëtorëve, duke i trajnuar profesionalisht në Qendrën e Trajnimit të KEDS dhe duke u ofruar të gjitha pajisjet e nevojshme të sigurisë, për të siguruar mbarëvajtje në tërë procesin e ngjitjes në shtyllë dhe punës së mëtutjeshme me të cilën ata ballafaqohen.