Sot është bërë një vit kur u paraqit rasti i parë me COVID-19 në Kosovë. KEDS, që nga fillimi kishte ndërmarrë të gjitha masat që të mbrojë sigurinë dhe shëndetin e të gjithë punëtorëve dhe konsumatorëve.

Pas situatës së krijuar dhe vendimit të OBSH-së për shpalljen e COVID-19 si pandemi, si dhe vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Drejtori i Përgjithshëm i KEDS me datë 12 mars 2020 kishte marrë vendim për themelimin e komisionit për menaxhimin e krizës që po pritej të vinte.

Ky komision me 29 takime të mbajtura deri tash, po vazhdon t’i ndërtojë politikat e mbrojtjes së shëndetit të punëtorëve, duke ndërmarrë të gjitha masat e rekomanduara nga institucionet relevante.

Eshtë bërë edhe pajisja e stafit me pajisje mbrojtëse si maska, dorëza dhe dezinfektues si dhe ndërruar orari i punëtorëve për të shmangur turmat e mëdha si dhe kategoritë më të ndjeshme janë liruar të punojnë nga shtëpia.

Për një informim sa më të qartë të respektimi të rregullave të sigurisë, janë vendosur posterët informues për mbrojtje nga Covid brenda hapësirave të kompanisë, për konsumatorë dhe punëtorët gjithashtu.

 Edhe pse qasja e konsumatorëve në hapësirat e kompanisë është kufizuar, KEDS është përkujdesur për dezinfektimin e vazhdueshëm të ambienteve të punës.

Natyrisht, këto masa janë treguar adekuate pasi që kanë ndikuar në vazhdimësi në zvogëlimin e rasteve të infektimit me virus dhe po kontribuojnë jo vetëm në ruajtjen e shëndetit të punëtorëve por edhe në qëndrueshmërinë e kompanisë dhe shëndetit të përgjithshëm të komunitetit.

KEDS beson që mirëqenia jonë fizike dhe mentale kërkon përpjekje të vazhdueshme të secilit, andaj duke u munduar kolektivisht të respektojmë masat e parapara, KEDS po vazhdon të mbajë punëtorët dhe konsumatorët sa më të informuar.